Kjo është kombëtarja e parë që ka arritur në Katar (Video)

Kanë mbetur saktësisht edhe 10 ditë deri në fillimin e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Futbollistët e Amerikës u bënë të parët nga kombëtaret pjesëmarrëse në Kupën e Botës që kanë mbërritur në Katar, 10 ditë para se të fillojë kjo garë, raporton KosovaPress.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pjesëmarrëse në Kupën e Botës për herë të parë pas tetë vitesh, ndërsa një numër i konsiderueshëm i lojtarëve kanë mbërritur në Katar nga New Yorku.
Shumica e lojtarëve të përfshirë në listën e 26 lojtarëve, duke përfshirë këtu kapitenin, Christian Pulisic janë ende në Evropë pasi që kanë ndeshje me klubet e tyre këtë vikend.
Amerika e fillon Grupin B me ndeshje kundër Uellsit më 21 nëntor, kurse katër ditë më vonë ka përballjen me Anglinë, dhe më pas ndeshjen me Iranin, e cila është bërë njëra nga ndeshjet me biletat më të shitura për shkak të rivalitetit politik mes dy shteteve.
Skuadra amerikane, e drejtuar nga Gregg Berhalter, po qëndron në Marsa Malaz Kempinski në Pearl, një ishull artificial në veri të Dohas, i favorizuar nga emigrantët.