110-vjetori i Pavarësisë/ Vlora, qendra e festës sot, qyteti i mbushur me vizitorë

Vlora është veshur kuq e zi.
“O Ismail Qemali, të lumtë ajo dorë, që e ngrite flamurin në qytetin tonë në Vlorë”, reciton një djalë i vogël vlonjat.
110 vjetori i pavarësisë në Vlorë u hap me një ceremoni zyrtare në sheshin e flamurit nga krerët e shteteve shqiptare.
Por përtej politikës, festën e vërtetë e bënë ata që erdhën në Vlorë nga të gjithë trojet shqiptare.
Janë të shumtë shqiptarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi që kanë zgjedhur Vlorën për të festuar 110 vjetorin e pavarësisë.
“Të gjithë të duam i shtrenjti flamur, me Skënderbeun në Krujë, me Ismail Qemalin në Vlorë, por edhe ne festojmë me Boletinin në Kosovë”, interpretojnë një grup nga Istogu.
Më 28 nëntor 1912 në Vlorë u shpall pavarësia dhe Ismail Qemali ngriti flamurin e çdo vit shqiptarët kudo që janë kremtojnë këtë datë historike.