Osmani: Komunat mund të bashkohen me njëra-tjetrën në formë të OJQ-së

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbë të cilin po e kërkon Serbia. Ajo ka theksuar se komunat mund të bashkohen me njëra-tjetrën në formë të OJQ-së.
“Për asociacionin ka një nen në këtë dokumentin e vitit 2015 që kërkon që patjetër të kalojë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe ajo është si një lloj parakushti për vetë-zbatimin e saj. Pra duke respektuar vendimin e Kushtetueses ne po e respektojmë edhe vetë marrëveshjen”.
“Asociacioni siç e dini është i paraparë si një mundësi edhe në ligjet aktuale të Republikës së Kosovës edhe fare pa i ndryshuar – ato që janë miratuar para një dekade. Parashohin që komunat mund të bashkohen me njëra tjetrën në formë OJQ-së ku ato pastaj lobojnë për më shumë të drejta tek niveli qendror”.
Sipas saj, asociacioni nuk mund të jetë një-etnik dhe nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive. “Që është krejt normale sepse të njëjtën e bën Asociacioni i Komunave të Kosovës tani. Ama Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se kur bashkohen komunat në asociacione, nuk mund të jenë një-etnike, nuk mund të kenë kompetenca ekzekutive sepse Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë”./Klan Kosova