75 Mall Live Search
18:38 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

​Më 29 dhjetor jepet fjala përfundimtare për katër deputetët e VV

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet për ndërprerje të masës së paraburgimit për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi, ndërsa seanca e radhës ku do të jepet vendimi përfundimtar për këtë proces, është caktuar më 29 dhjetor 2017 në ora 09:00.

Seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, e cila ishte paraparë të fillojë në ora 09:00, me kërkesë të kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, filloi me vonesë në ora 10:00, ishte edhe arsyeja pse dëshmitari Kadri Veseli nuk dëshmoi për këtë rast.

Gjatë pjesës së parë të seancës gjyqësore, e cila u mbajt pa pranin e mediave, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra i nxori nga salla katër të akuzuarit, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin, pasi që kishin kundërshtuar vendimin e Prokurorit të Shtetit, i cili ka hequr dorë nga  dëshminë e Kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Në pjesën e dytë të seancës të akuzuarit, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli kanë dëshmuar për pafajësinë e tyre dhe veprimet e tyre i kanë quajtur politike, veprime që sipas tyre penguan jetësimin e marrëveshjes së Zajednicës dhe Demarkacionit me Malin e zi, që i konsideruan “veprime të dëmshme” për Kosovën.

Gjatë pjesës së dytë të seancës, e akuzuara Albulena Haxhiu në emër të të akuzuarve ka kërkuar që të dëgjohen edhe dëshmitë e mbi 30 dëshmitarëve, ndër të cilët ishte  kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, presidenti, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, e emra të tjerë deputetësh, për të cilët Haxhiu tha se janë faktor kyç për procesin që po gjykohen, propozim ky i cili u refuzuar nga Prokurori i Shtetit, Valdet Gashi dhe kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Pas përfundimit të seancës, e akuzuara Albulena Haxhiu në një prononcim për media, tha se kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra e ka në plan që të jap dënime me burg për katër të akuzuarit për veprimet politike në Kuvendin të Kosovës.

Ajo të papranueshëm e ka konsideruar vazhdimin e mbajtjes në paraburgim të Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit.

 

“Mbajtja në paraburgim është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka asnjë arsye siç nuk ka pasur deri më tani që Albini dhe Donika të mbahen në paraburgim, ai vazhdoi këtë deri më 29 dhjetor. Dhe sigurisht që kjo është e papranueshme siç duket gjyqtari, Kalludra e ka në plan të jap dënime me burgim deputetëve të Kuvendit të Republikës, për veprimet politike në Kuvend, dhe këtë po mundohet disi ta zëvendësojë me masën e paraburgimit që e ka shqiptuar deri më tani për deputetët e Kuvendit”, tha ajo.

Haxhiu e ka akuzuar gjyqtarin, Beqir Kalludra se po merr urdhra nga klani pronto dhe klani Isa Mustafa, duke mos sjell asnjëherë drejtësi për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurse, i akuzuari dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Topalli pas seancës, deklaroi se procesi në të cilën janë të akuzuar katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, është proces i montuar politik

 

“Në të gjitha proceset gjyqësore që u zhvilluan deri tani kundër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, u ftuan për të dëshmuar vetëm deputetët, të cilët ishin pjesë e pozitës në atë kohë, pra të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhje Demokratike të Kosovës, ndërsa nuk lejohet për të dëshmuar deputetët e opozitës, të cilët ishin të përfshirë dhe janë dëshmitar, të cilët kanë parë të gjitha ngjarjet dhe njohin të gjitha proceset, pra kjo po tregon se  kemi të bëjmë me një proces deri në fund të montuar politik”, tha ai.

Ndërsa, avokati mbrojtës i të akuzuarës, Donika Kadaj-Bujupi tha se pret që e mbrojtura pas fjalës përfundimtare të shpallet e pa fajshme Kadaj-Bujupi.

Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli akuzohen për veprat penale “Përdorim i armës, apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës