Nuk ka luajtur asnjë ndeshje të plotë, Cancelo irritohet me Bayern Munich

Joao Cancelo ishte një prej lëvizjeve më interesante të merkatos së dimrit, me mbrojtësin i cili u transferua te bavarezët në formë huazimi nga Manchester City, skuadër me të cilën luajti pjesën e parë të sezonit, me 26 ndeshej dhe 2 gola.
Situata tashmë ka ndryshuar, Cancelo ka luajtur 6 ndeshje që nga transferimi i tij në Mynih, por në asnjërën prej tyre nuk ka arritur të mbyllë një ndeshje të plotë, ndërsa në ndeshjen e fundit, kundër Stuttgart ai qëndroi në stol.
Me një llogari të thjeshtë, në pesë ndeshjet e fundit, midis kampionatit dhe Champions-it, Cancelo ka luajtur 191 minuta nga 450 në total dhe kjo ka shkaktuar irritim te lojtari, i cili siç raportojnë mediet gjermane ka kërkuar edhe një takim urgjent me agjentin e tij.
28-vjeçari kërkon më shumë minuta, ose më saktë kërkon fanellën e titullarit dhe një status tjetër, pasi nuk pajtohet me këtë minutazh dhe këtë trajtim
Pas suksesit ndaj Stuttgart në fundjavë, Nagelsmann shpjegoi se mos aktivizimi i Cancelos erdhi për shkak të taktikës së tij dhe nuk ka asgjë personale duke theksuar gjithashtu se portugezi po përshtatet mirë me skuadrën bavareze.
Gjithsesi edhe kjo deklaratë e trajnerit nuk e ka bindur mbrojtësin dhe tani, sfida përballë PSG, të mërkurën do të jetë shumë e rëndësishme për Cancelo-n, pasi mungesa edhe në këtë përballje mund të krijonte një krisje mes palëve dhe tani gjithçka mbetet për t’u parë.