Zgjaten punimet në rrugët e Gjilanit, qytetarët ankohen se po ka shumë aksidente

Ka kohë që rrugët që lidhin Gjilanin me qytetet tjera po paraqesin problem për udhëtarët.
Kjo pasi disa rrugë kryesore u janë nënshtruar punimeve që po zgjaten.
Indeksonline sot raportoi se tri aksidente kanë ndodhur në rrugën Gjilan-Prishtinë, teksa qytetarët janë ankuar se pikërisht rrugët jo të përshtatshme janë arsye e aksidenteve.
Banorë të Gjilanit thonë gjithashtu se gjendja e rrugëve është duke ua dëmtuar veturat, gjithashtu.
“Kjo është tmerr, mbi 10 kilometra rrugë të bllokuara. S’janë kerkah me punime. S’kemi hesap me i mbajtë kerret te mjeshtri, Krejt qeto aksidente e qeto për faj të rrugeve po bëhen”, ka thënë një qytetar.
Ndërkohë, Komuna e Gjilanit ka deklaruar se zgjerimet e rrugës janë duke vijuar.
Në përgjigjet e Komunës për Indeksonline thuhet se disa nga rrugët parashihen të përfundojnë më së largu deri në tetor.
“Zgjerimi i rrugës prej Gjilanit në drejtim të Bujanovcit, deri te bunari i Perlepnices, asfaltimi i shtresës së parë do të bëhet deri në fund të muajit qershor dhe plani dinamik siç më ka prezantuar menaxheri nga MI, sipas planit dinamik duhet të përfundojë në muajin tetor nëse nuk ka ndonjë problem të paparashikuar” thuhet në përgjigjet për Indeksonline.
Komuna është deklaruar edhe për zgjerimin e rrugës prej drejtimit të qytetit të Gjilanit në drejtim të Kllokotit.
“Po ashtu edhe zgjerimi i rrugës prej drejtimit të qytetit të Gjilanit në drejtim të Kllokotit, asfaltimi i shtresës së parë me asfalt do të përfundojë deri në fund të muajit qershor, gjithnjë sipas menaxherit të kontratave nga MI” shton Komuna./Indeksonline/