Kryetari i AGK-së: Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla, më i rëndi në dy vitet e fundit

Mbrëmë tre persona e kanë sulmuar në orët e mbrëmjes të së hënës, gazetarin dhe analistin Valon Syla. Sulmi ka ndodhur pasi ai ka dalë nga studio e televizionit, ku ishte në emisionin debatues të mbrëmjes.
Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se sulmi ndaj gazetarit Valon Syla, është më i rëndi në dy vitet e fundit që u ka ndodhur gazetarëve të Kosovës.
“Bëhet fjalë për një sulm direkt fizik ndaj një gazetari për shkak të lirisë së shprehjes, lirisë së mendimit dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e dënon fuqishëm këtë akt. Thirrjes së për hetime të menjëhershme u janë bashkuar edhe kolegët e Federatës Evropiane të Gazetarëve dhe të shumë organizatave të tjera që merren me lirinë e mediave në rajon e Evropë”, tha Rexha për Info Plus në RTK.
Sipas tij, sulmi ndaj gazetarit Valon Syla e cenon rëndë lirinë e shprehjes dhe është një përpjekje për të penguar punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.
”Është një përpjekje për të frikësuar njerëzit që të mos flasin”, theksoi ai. Rexha ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe institucionet e Kosovës të marrin masat dhe autorët të sillen para drejtësisë.