75 Mall Live Search
08:22 / E Shtunë, 22 Prill 2023 / A. M.

Zgjedhjet e 23 prillit të merren si të rregullta – t’i jepet një mësim Listës Serbe

Ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë pavarësisht vendimit të Listës Serbe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit, këto zgjedhje duhet të trajtohen si të rregullta.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka thënë se këto zgjedhje duhet të shërbejnë si mësim për Serbinë dhe Listën Serbe se bojkoti, barrikadat dhe ngritja e tensioneve nuk janë mënyra e duhur.

Sadri Ferati

“E kam bindjen e plotë se po sikur të mos kishin qenë të kërcënuar dhe të mos kishte pasur raste të dhunës, mendoj se dalja e komunitetit serb do të kishte qenë më solide”.

“Në aspektin ligjor, kjo plotëson të gjitha standardet sepse sipas ligjeve të Kosovës nuk parashihet se sa duhet të jetë numri i votuesve për ta zgjedhur kandidatin. Ndërsa në aspektin legjitim, natyrisht se me një pjesëmarrje të gjerë në procesin zgjedhor, zgjedhjet do të konsideroheshin më legjitime”.

“Këto zgjedhje le të merren si të rregullta, t’i jepet një mësim Listes Serbe”.

Tutje, Ferati duke përjashtuar pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhjet në veri, konsideron se pjesëmarrja e qytetarëve nga komunitetet tjera do të jetë mbi 10 për qind.