75 Mall Live Search
16:20 / E Enjte, 27 Prill 2023 / A. M.

Provat që fundosën vrasësit e Ardian Nikulajt! 5 muaj plane, “hidhen në erë” nga dëshmitarja

Dy janë provat kryesore që ka në dorë grupi hetimor për vrasësit e biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin më 19 prill.

Bëhet fjalë për AND-në e gjetur në shtëpinë e Edmond Haxhisë dhe në makinat me qira. Përveç pamjeve të shumta nga kamerat e sigurisë përmes të cilave janë filmuar takimet e porositësit të vrasjes Edmond Haxhia me vrasësin dhe informatorët, që ai  i merrte ata gjithmonë nga Rinasi dhe i dërgonte në Shëngjin, janë gjetur edhe prova ADN-je për të akuzuarit.

Details from the execution of Ardian Nikulaj are clarified / The author in  police uniform, how he was camouflaged so as not to raise suspicions on the  victim - Aktualitet

Të pestë të huajt kanë qëndruar në disa hotele në zonën e Shëngjinit, si në hotel ‘Besa’, në hotel Rafaelo apo edhe Leon. Pra ata ndryshonin qëndrim për të mos lënë arsye për dyshime.

Planet për vrasjen kanë nisur që prej muajit nëntor të vitit të kaluar kur hasmi i tij Edmond Haxhia, i dyshuar si porositës i krimit u kthye në Shqipëri nga Londra.

Edmond Haxhia djali i dajës së Elton Lekstakaj ishte larguar nga Shqipëria që në moshën 7 vjeçare dhe nuk e ka harruar historinë e gjakmarrjes.

Haxhiaj ka dhe pasaportë britanike. Ai ka shkuar në zonë ne Shkodrës ku ka marrë një automjet me qira dhe ka përgatitur planin e ekzekutimit. Më 14 shkurt Haxhia ka udhëtuar nga Shkodra në Rinas ku ka pritur vrasësin portugez Ruben Saraiva. Ai e ka transportuar në drejtim të Shkodrës, ku ka marrë një shtëpi me qira dhe ka pritur deri ditën kur ka ekzekutuar Nikulajt.

Haxhia ka pritur dhe shtetasit anglezë Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman dhe më vonë Harry Simson, i cili është larguar më 19 prill pak orë pas ekzekutimit të Nikulajt.

Rezulton se Haxhia me të njëjtin automjet tip “Volksvagen” që kishte marrë me qira ka pritur të gjithë të huajt. Ky automjet tashmë është sekuestruar nga policia dhe në brendësi të tij janë përftuar prova të shumta biologjike mes të cilave dhe doreza që dyshohet se janë përdorur nga britaniku Simson.

Po ashtu gjatë bastisjes së dhomës 302 të një hoteli ku ka qëndruar shtetasi britanik i cili ka pasur rolin e vëzhguesit Harry Simpson, në automjetin me targa AA837 ZM, të përdorur nga Edmond Haxhia, është gjetur një veshje hixhab grash, dhe është përftuar një profil biologjik, i njëjtë me profilin e një çamçakëzi të gjetur në magazinën e shtetasit Edmond Haxhia.

Nga grupi hetimor konfirmojnë se 4 britanikët e përfshirë në ngjarje kanë pasur vetëm një rol survejues. Pra, kanë ndihmuar në marrjen e informacionit për lëvizjet e viktimës së tyre.

Mbrëmjen e kaluar një gjyqtar i gjykatës së Lezhës ka firmosur masën e sigurisë arrest me burg për Edmond Haxhiajn, për portugezin dhe 4 britanikët.

Të gjithë dinamikën e ngjarjes tronditëse e ka zbërthyer një vajze që kishte lidhje me Edmond Haxhian, personin që sipas policisë dyshohet se e organizoi vrasjen e Ardian Nikulajt.

Ajo është identifikuar nga policia si personi që ka blerë motorin që vrasësi portugez, Ruben Saraiva përdori per atentatin. Këtë fakt ajo e ka pohuar dhe vetë në deklarimet e bëra përpara grupi hetimor ku ndër të tjera ka dhënë dhe detaje për ardhjen e portugezit në Shqipëri.

“Fillimisht portugezi është dërguar në një hotel në zonën e Shëngjinit, shumë pranë “Coralit”. Të nesërmen e kanë çuar në Shkodër. Motorin e kam blerë unë, e kam parë më vonë te magazina e shtëpisë së Edmondit në Kakarriq të Lezhës. Portugezi përshëndeste gjithmonë banorët e Kakarriqit në Gjuhën Shqipe, por me Edmondin komunikonte në anglisht.”

Dyshohet se vrasësi portugez ka hyrë në Shqipëri më 14 shkurt dhe ka dalë së bashku me një anglez nga pika kufitare e Kapshticës në Korçë.