Kryeministri organizon ceremoni për 80-vjetorin e lindjes së Profesor Ukshin Hotit

Në kuadër të aktiviteteve që janë organizuar sot në shënim të 80- vjetorit të lindjes së Prof. Ukshin Hotit, Zyra e Kryeministrit, nën përkujdesjen e kryeministrit Albin Kurti, u mbajt ceremoni në 80-vjetorin e lindjes së Prof.Ukshin Hotit.
Pasi ka falënderuar të pranishmit që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për këtë mbrëmje, kryeministri Kurti tha se kujtojmë e përkujtojmë figurën e bacës Ukë, një veprimtari, intelektuali, politikani, ish-të burgosuri politik, i cili me angazhimet e tij, mendimet e tij, jetën dhe veprën e tij, është unik dhe i papërsëritshëm.
Para të pranishmëve, kryeministri tha se 24 vjet pas përfundimit të luftës, ne e kemi ende të freskët 16 majin e vitit 1999, kur ai u lirua nga burgu, për të mos u gjetur më, ndërsa profesor Hotin e ka cilësuar njeri i librave dhe njeri i burgut, por edhe njeri i jetës e i lirisë.
16 maji i vitit 1999, ishte po ashtu dita kur i burgosuri politik Enver Dugolli, që tani është deputet i Kuvendit të Republikës, e kishte parë për herë të fundit profesor Hotin. Ai tha se kjo, njëkohësisht është edhe dita të cilën ne e përkujtojmë sa herë që shkojmë në Dubravë për ta kujtuar masakrën e Dubravës, ku u vranë e masakruan të burgosurit duarlidhur nga gardianët dhe nga të burgosurit e tjerë serb.
“Gjithashtu me këtë rast kujtojmë në përgjithësi 1617 të zhdukur, të cilët janë rrëmbyer me dhunë dhe për fatin e të cilëve nuk dimë as sot e kësaj dite. Ne ishim gjithsej 5000 peng lufte në qershorin e vitit 1999, rreth 2000 prej nesh në burgje zyrtare, 3000 të pagjetur, ndërkaq më shumë se gjysma e tyre janë të tillë, pra të pagjetur edhe sot e kësaj dite”, tha kryeministri Kurti.
Me këtë rast, kryeministri ka përmendur dakordimin që është arritur në Bruksel me palën serbe, për çështjen e të pagjeturve, e ku është pikërisht djali i Ukshin Hotit, Andini, ai që i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, ku kërkon hapjen e arkivave për të mësuar të vërtetën.
“Na duhet e vërteta, na duhet përgjegjësia, na duhet drejtësia”, tha kryeministri, duke shtuar se në këtë letër, Andin Hoti kërkon të hapet në veçanti arkiva e Brigadës së motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, për fatin e shumë të zhdukurve, e në veçanti në rajonin e Drenicës.
Mbrëmja e sotme, tha kryeministri, është mbrëmje në të cilën ne kujtojmë veprën dhe jetën e bacës Ukë, i cili ka vetëm ditëlindje, por në të njëjtën kohë edhe bëjmë thirrje, aktivizim e mobilizim qytetarë e gjithëkombëtar, në mënyrë që kësaj plage që kullon në kombin tonë, pra ajo e të gjithë të pagjeturve, ku figura me emblematike është Ukshin Hoti, t’i vije fundi dhe familjarët të mos e kenë këtë gjendje në të cilën ankthi ua dominon edhe pikëllimin, kurse zemërimi ua dominon vajtimin.
Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, akademik profesor Rexhep Qosja, familjarë të profesor Ukshin Hotit, si dhe personalitete të tjera të jetës publike.