Krasniqi uron ish-krerët e UÇK-së e shpreson për kthimin e shpejtë të tyre

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi u ka uruar ish-krerëve të UÇK-së të cilët mbahen në Hagë, festën e Kurban Bajramit.
Pas vizitës që i bëri Myftiut Tërnava, Krasniqi ka kujtuar ish-krerët e UÇK-së duke theksuar se shpreson në kthimin e shpejtë të tyre në Kosovë.
“Në mënyrë të veçantë në këtë festë kujtojmë miqtë që mbahen ende në Hagë, udhëheqësit e UÇK-së të cilëve ua urojmë këtë festë nga larg duke shpresuar të na bashkohen neve sa më shpejtë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka uruar që besimtarët të marrin shembull nga festa e Kurban Bajramit, festë e cila sipas tij, dëshmon sakrificë e solidarizim.
“Në emër të PDK-së të uroj myftiun Tërnava dhe përmes tij, të gjithë besimtarët, të gjithë antarët dhe ata që janë në përkatësinë e fesë islame këtë festë që është një festë që simbolizon solidarizimin, sakrificën, vlerën e jetës dhe faktin se duhet të jemi pranë njëri-tjetrit, sidomos në kohë sfiduese të cilat po i kalojmë. Shpresoj dhe uroj të marrim shembull nga kjo festë”, ka thënë ai.