Vdekja e 35 vjeçares në Malishevë, Vitia: Jemi të tronditur, ky rast nuk do të kalojë në heshtje

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka reaguar për vdekjen e 35-vjeçares në Malishevë, e cila kishte shkuar në një klinikë private për ta hequr një dhëmb. Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se të gjithë janë të tronditur nga ky rast.
Ministri Vitia, ka deklaruar se ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit.
“Jemi të gjithë të tronditur dhe të pikëlluar nga vdekja e gruas 35 vjeçare në Malishevë, teksa priste të mjekohej. Ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit. Kam kërkuar me gjithë fuqinë që më jep ligji, që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit. Dhe çdo procedurë. Ndaj përgjegjësve, do të ketë masa”, ka thënë Vitia.
Vitia ka thënë se ky rast nuk do të kalojë në heshtje dhe as nuk do të tretet në harresë.
“Në rast të evidentimit të shkeljeve penale ato do të procedohen menjëherë në organet e drejtësisë. Ky rast nuk do të kalojë as në heshtje dhe as nuk do të tretet në harresë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes që humbi më të dashurën e tyre”, ka shkruar Vitia në Facebook. .