Jasharaj: Viti shkollor do të nis me vështirësi, i gabuar eksperimenti i MASHTI-it me tekstet shkollore

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës (SBASHK), ka deklaruar se viti i ri shkollor do të fillojë me vështirësi, me të cilat i krijoi Ministria e Arsimit. Ndërkaq, e ka quajtur eksperiment të gabuar, vendimin që blerja e teksteve shkollore të bëhet nga ana e prindërve, raporton Ekonomia Online.
Në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, kryesindikalisti tha se
“Ky vit po fillon pa greva e veprime sindikale, e kjo do duhej ta gëzonte edhe qeverinë e veçmas ministren Nagavci, por duket se më shumë do t’i gëzonte greva për ta drejtuar gishtin drejt nesh e për tu heshtur lëshimet e mungesa e përgatitjeve që MASHTI do të duhej ti bënte. Ky vit shkollor do të filloj i përcjellë me vështirësi të cilat i krijoji MASHTI me eksperimentin e gabuar për tekstet shkollore”, tha Jasharaj.
Ai shtoi se SBASHK-u me kohë ka reaguar për këtë çështje, derisa kritikoi ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci që po mban inate me sindikatën e arsimit.
“Zonja Nagavci po e mban inatin nga grevat sepse nuk po takohet me SBASHK-un, këshillin e prindërve, DKA-të e as me Asociacionin e Komunave. Ajo doli me një lajm që i ka shqetësuar edhe prindërit dhe neve si mësimdhënës. Ajo sjell vendim që tekstet shkollore të shpërndahen nëpër librari që një pjesë e qyteteve nuk ka fare, dhe prindërit të vrapojnë në e-Kosova të aplikojnë dhe të presin rimbursimet”, tha Jasharaj.