Abdixhiku: Rruga “Jim Xhema” po bëhet, është koha për projekte konkrete e jo zymtësi polarizuese

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku,ka thënë se rruga “Jim Xhema” po bëhet në kohë e me intensitet të plotë.
Abdixhiku, gjatë vizitës që i bëri asaj që njihet si Rruga “A”, bashkë me kryetarin e kryeqytetit, Përparim Ramën, tha se ky projekt me intensitetin aktual të punimeve do të përfundojë qysh para verës së ardhshme.
“Koha të flasim e punojmë për projekte konkrete si zëvendësim i ngarkesës me të shkuarën, e zymtësi polarizuese sot”, ka shkruar Abdixhiku.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Rruga “Jim Xhema” po bëhet!
Në kohë e me intensitet të plotë.
Sot, me Përparimin, i bëmë vizitë ekipeve punuese në projektin më të madh kapital që po zhvillohet aktualisht në kryeqytet. E njohur si Rruga A, me 6 korsi, me kolektorë e infrastrukturë moderne përcjellëse, ajo nisi të jetësohet në maj të këtij viti. Me tempon aktuale të punëve – në të dy skajet e rrugës – ajo do të përfundojë qysh para verës së ardhshme .
Punimet tashmë kanë nisur edhe në lagjen Kalabria, me synim të shpejtë për lidhjen e dy anëve në një projekt të ri të madh kapital në Veternik.
Një lagje e re në bërje, një komuniteti i ri në krijim. Prishtina po ecë në rrugë e ritëm të jashtëzakonshëm! Falënderuam punëtorët për angazhim; falënderuam në veçanti Krenarin, Drejtorin e Infrastrukturës për gjithë angazhimin infrastrukturor në Prishtinë.
Koha të flasim e punojmë për projekte konkrete si zëvendësim i ngarkesës me të shkuarën, e zymtësi polarizuese sot.
Kosova meriton më mirë!
Kosova, sikurse Prishtina, mundet më shumë!