Kurti flet për shtesat e policëve: Pare boll kurrë s’ka, buxheti është ky që është

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar lajm të mirë propozimin për rritjen e shtesave të rrezikshmërisë për zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Kurti, në një konferencë për media të premten, tha se policët do t’i marrin shtesat e rrezikshmërisë retroaktivisht nga muaji shkurt, kur ka hyrë në fuqi Ligji i Pagave.
“Së pari mendoj se është një lajm i mirë për qytetarët dhe policët. Duhet ta kuptoni se rrezikshmëria për policët tanë nuk luftohet thjesht me shtesat, por me mjetet e punës. Madje, do të thosha se kjo është kryesorja. Ne jemi duke punuar shumë që ata t’i kenë mjetet sa më efikase të punës dhe të rrezikohen sa më pak”, tha Kurti.
“Në nëntor të gjithë policëve që marrin shtesa të rrezikshmërisë do t’u bije që t’i marrin retroaktivisht prej kur ka hyrë në fuqi ligji i pagave”, u shpreh ai.
Duke folur për kritikat e opozitës për gjendjen financiare të policëve, ai tha se “pare boll kurrë s’ka” derisa deklaroi se buxheti i Kosovës i kufizon edhe pagat.
“E para: Përgjatë këtij viti, 2134 policë kanë pasur të ardhura mesatare më të larta se një mijë euro. Në qershor dhe korrik sivjet janë afër 700 policë të cilët kanë marrë pagë me shtesa më të lartë se presidentja e Republikës. Ndërkaq, mesatarja e të ardhurave të policëve për 203 sosh gjatë këtij viti është më e lartë sesa e presidentit të Republikës. Pavarësisht prej zhurmave opozitare, faktet flasin vet. Ju e dini që pare boll kurrë s’ka. Buxheti i Kosovës është ky që është”, tha Kurti.