Djegia e shtëpisë së familjes Koroglu, Çeku: Faturën e restaurimit do ta paguajnë ata që ia vunë flakën!

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas djegies së shtëpisë 300 vjeçare të familjes Koroglu, që ishte shtëpia më e vjetër në Mitrovicë.
Hajrulla Çeku është shprehur i mllefosur, duke e quajtur “akt barbar” dhe duke paralajmëruar për kapjen e përgjegjësve që kryen këtë vepër penale, raporton Indeksonline.

Përmes një reagimi zyrtar, Çeku ka thënë se shtëpia do të restaurohet, ndërsa faturën do ta paguajnë ata që ia vunë flakën.
Ky është reagimi i plotë i Çekut:
Barbarë janë ata që e djegin kulturën dhe historinë e tyre
Pas një rezistence të madhe nga familja dhe një tentim rrënimi së fundmi, dje patën filluar ndërhyrjet për shpëtimin e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë.
Pasi e kuptuan që nuk zmbrapsemi nga detyrimi ynë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qyqarët në mënyrë tinëzare pasi ra terri ia vunë flakën shtëpisë së shekullit XIX.
Nuk do t’ia dalin, shtëpia do të restaurohet. Dhe do t’i përdorim të gjitha mundësitë ligjore që faturën e restaurimit ta paguajnë ata që ia vunë flakën.
Pres kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve. Prokuroritë dhe gjykatat tona kanë rol qendror në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Dënimet e deritanishme me gjobë nga 200 deri 700 euro për dëmtim të monumenteve, kur kodi penal parasheh deri në 500 mijë euro e burgim efektiv, janë vetëm inkurajim për keqbërësit.
Betejën mes barbarizmit dhe kulturës pa dyshim se do ta fitojë kultura.