75 Mall Live Search
10:33 / E Enjte, 09 Nëntor 2023 / MSH

Hovenier: Kur të vijë koha, të gjithë mund të kenë qasje në draftin e Asociacionit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka folur sot për draft-statutin e Asociacionit.

Në një konferencë të thirrur për media, Hovenier deklaroi se të gjithë do të kenë mundësi të kenë qasje në këtë draft, kur t’i vijë koha.

“Në një kohë të përshtatshme, publiku do të ketë mundësinë të ketë qasje në draft-statutin e Asociacionit… Ndërkombëtarët përdorin fjalë si “urgjent”, “sa me shpejt të jetë e mundur”. Ka urgjencë, ka dëshirë për të parë këtë proces të lëvizë shpejt dhe është pjesë e bisedës tonë me Qeverinë. Nuk ka arsye për Kosovën të mos ecë përpara me këtë draft. Kryeministri shprehi gatishmërinë ta pranojë para disa javësh, dhe ne po punojmë të shohim rezultatet e kësaj”, deklaroi Hovenier.

Ai thotë se e tërë situata nuk është vetëm për statusin e Asociacionit, por ka të bëjë edhe me zbatimin e të gjitha pikave të tjera të marrëveshjes së dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar se drafti do të dërgohet së pari në Kushtetuese.

“Siç e dini, statuti u prezantua nga Bashkimi Evropian, me ShBA-në prezente. BE bashkë me ShBA-në, kanë konsideruar se ai respekton plotësisht Kushtetutën e Republikës se Kosovës. E kemi thënë disa herë. Ky Asociacion duhet të konsistojë me Kushtetutën e Kosovës, asnjë ndryshim në Kushtetutë nuk duhet të bëhet. Duhet të konstituohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, duhet të konstituohet mbi këndvështrimet që i kemi shtuar në janar, me propozimin e Derek Chollet dhe të dërguarit të ShBA-së për Ballkan, Gabriel Escobar”, tha Hovenier.