75 Mall Live Search
18:55 / E Diele, 24 Dhjetor 2023 / Gj. Sh

Kurti në garë për pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut

Lëvizja Vetëvendosje, që udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duket se i ka hyrë garës për pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut.

LVV-ja ka hyrë në koalicion me partitë opozitare shqiptare atje.

Kështu të paktën po thotë kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhidi.

“Sot me datë 24.12.2023, në zemër të Shkupit, gjegjësisht në Sheshin “Skenderbeu”, Lidhja Evropiane për Ndryshim bëri hapjen e zyres së përbashkët të koalicionit. Në hapjen e shtabit morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, z. Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti”, tha Mexhidi.

“Më gëzon fakti që në këtë ditë të bukur, frontit tonë opozitar iu bashkangjit edhe Lëvizja VETËVENDOSJE, dhe pas ndryshimit në Kosovë dhe Luginë, bashkarisht do e sjellim ndryshimin e shumëpritur edhe tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, theksoi ai.

Lëvizja e Kurtit, mori pjesë edhe në zgjedhjet në Shqipëri, më 25 prill 2021, por pa arritur ndonjë rezultat për t’u theksuar.

Nga 1.66 milionë vota, LVV-ja nuk mori më shumë se 3 mijë e 541 vota.