Kurti shkruan për 80-vjetorin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook për 80-vjetorin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit.
Kurti shkroi rreth kësaj konference për siç thotë ai rëndësinë historike dhe për trashëgiminë politike të saj, për subjektivitetin e pavarur politik të Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje sipas vullnetit politik të popullit të saj.
“Në fshatin Bujan në Malësi të Gjakovës, në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, po merrej një nga vendimet më të rëndësishme për fatin politik të shqiptarëve (jo vetëm) të Kosovës në shekullin e XX. Ishte dita e tretë e Konferencës së Bujanit, që i kishte hapur punimet më 31 dhjetor 1943, në ora 19:00. Nga 61 delegatët e ftuar në konferencë, 49 delegatë kishin arritur të shkonin në Bujan, nëpër rrugët e siguruara nga Ismet Shaqiri dhe ku u ushqyen me furnizimet e siguruara nga Sahit Bakalli. Shpenzimet e konferencës i kishte marrë përsipër një tregtar nga Shkodra, Tefik Çanga, që kishte shërbyer edhe si prefekt i Ferizajit”.
“Natën e fundit të vitit 1943, më 31 dhjetor, që ishte dita e parë e Konferencës së Bujanit, u mbajtën fjalime deri në ora 01:00 pas mesnate, duke u paraqitur qëndrime të ndryshme politike nga delegatët pjesëmarrës nga Prizreni, Gjakova, Prishtina, Peja, Ferizaji, Drenica, Deçani, Istogu e nga vende të tjera. Të nesërmen, më 1 janar 1944, punimet vazhduan që nga ora 08:30 e mëngjesit në praninë edhe të dy oficerëve britanikë që ishin ftuar nga organizatorët. Njerëz me profile të ndryshme sociale dhe profesionale, me pikëpamje politike të ndryshme, disa të organizuar nëpër organizata politike dhe disa me angazhime vetanake, u përbashkuan rreth qëllimit që të luftohej për çlirimin e Rrafshit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit”, ka shkruar Kurti.