Berisha thirrje kategorive të luftës: Shmangeni rrugën nëpër Serbi, Qeveria të angazhohet për lirimin ish-pjesëtarit të UÇK-së!

Kategoritë e dala nga lufta duhet të jenë të kujdesshme dhe ta shmangin rrugën nëpër Serbi. Kështu ka deklaruar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha. Kjo deklaratë e tij vjen pas arrestimit, që javën e kaluar e bëri Beogradi zyrtar, ndaj Hasan Dakajt, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai u arrestua nga policia serbe në pikën kufitare në Merdar.
“Vendimi apo marrëveshja për liberalizimin e vizave nënkupton lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nëpër shtete të BE-së, por nuk nënkupton amnistinë e luftëtarëve të UÇK-së, kjo është një kontest i hapur. Ne si Kosovë nuk arrestojmë askënd ndaj të cilit nuk kemi ngritur padi dhe s’kemi ndonjë dosje apo ngritje aktakuze ndaj tyre”, ka thënë ai për Indeksonline-n.
Sipas Berishës, duhet që të gjithë luftëtarët e UÇK-së të jenë koshientë pasi Serbia i ka të gjithë regjistrat tanë. “Unë këtë shqetësim e kam ngritur në Kuvendin e Kosovës që kur ishte bërë publikimi i tyre, “mashtrues apo jo mashtrues”.
Jeta dhe liria e tyre është e rrezikuar nëse qarkullon nëpër Serbi.
Të gjithë ata që janë në evidencat e UÇK-së në kuptimin e veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve, duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin Serbinë”, u shpreh ai.
Berisha apeloi që Qeveria e Kosovës, institucionet, duhet të veprojnë me urgjencë dhe këtë çështje ta ngrenë në nivelet më të larta të forumeve të BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare.
“Të kërkohet ndërmjetësimi e menjëhershëm për lirimin e tij. Transiti nëpër Serbi është rrezik për këtë kategori. Ushtari të lirohet menjëherë”, ka deklaruar ai. /Indeksonline/