75 Mall Live Search
08:55 / E Premte, 19 Janar 2024 / Gj. Sh

“E kam ëndërr të luajmë bashkë”, Taulanti shpreson për kthimin e Granitit në Basel: E ka përmendur disa herë

Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Taulant Xhaka ka dhënë një interviste për “20min” duke folur për shumë tema dhe për vëllain e tij, Granitin.

Gjatë intervistës, Taulanti deklaroi se dëshiron të luaj së bashku me Granitin dhe një gjë e tillë mund të ndodh në të ardhmen, shkruan Indeksonline

“E kemi diskutuar disa herë gjatë pushimeve. Edhe nëse nuk mund të eci më, dhe nëse Baseli e lejon, unë do doja të luaja së bashku me të. Edhe pesë minuta do mjaftonin dhe sigurisht se do isha shumë i lumtur. Graniti më ka thënë se dëshiron patjetër që të rikthehet në Basel”, u shpreh Taulanti gjatë intervistës për mediumin zvicran.

Mesfushori i Baselit u pyet edhe nëse e ka menduar ndonjëherë pensionimin nga futbolli dhe sigurisht që përgjigja e tij ishte pozitive.

“Ka momente që e mendoj se kur do të largohem. Unë momentalisht dëgjoj vetëm trupin tim. Nëse e vërej që trupi im nuk po funksionon më, atëherë mund të pensionohem”, vazhdoi tutje ish-lojtari “kuqezi”

Xhaka gjatë sezonit të kaluar ishte shumë i diskutuar në Zvicër për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen ndaj Zurich duke goditur me kokë kundërshtarin e tij.

“Njerëzit më njohin mua dhe ata që më njohin e dinë që unë jam ndryshe. Unë jam një person i trupshëm që nuk më pëlqen të jem në qendër të vëmendjes,. Megjithatë, emocionet hyjnë në fushën e futbollit. Unë gjithmonë dua të fitoj. Unë kurrë nuk e kam lënduar askënd në fushë”, tha Xhaka, i cili gjatë karrierës së tij ka marrë vetëm katër karton të kuq./Indeksonline/