Basha akuzon Ramën dhe McGonigal se kanë bërë ‘lojë të ndyrë’ ndaj tij

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, se së bashku me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, kanë bërë një “lojë të ndyrë” ndaj tij.
Këtu ai i referohet pretendimit se Rama, e ka korruptuar McGonigal për të sulmuar Bashën më parë në rolin e kreut të opozitës, si rival për pozitën e kryeministrit.
“Mos të kemi asnjë dyshim, pavarësisht se sulmi ishte personal, po ishte ndaj Lulzim Bashës, sepse Lulzim Basha ishte kryetari i Partisë Demokratike dhe rivali për kryeministër”, përforcoi Basha.
Kjo gjë sipas tij i jep kësaj afere përmasa unike, “në radhë të parë për komunitetin e shteteve që pretendojmë se ndajmë të njëjtat vlera me ta, derisa jemi në të njëjtën aleancë, kemi nënshkruar detyrime dhe gëzojmë të njëjtat përfitime që është komuniteti euroatlantik, vendet e NATO-s, por dhe më gjerë”.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë sipas tij, që i pari i Qeverisë, të kryejë diçka të tillë, duke korruptuar një nga zyrtarët më të lartë të ligjzbatimit dhe të zbulimit të një vendi aleat, mik dhe partner strategjik.
Pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë akuzë zyrtare ndaj kryeministrit Rama në SHBA apo Shqipëri, lidhur me këtë çështje, por vetëm përfolje për takime në dosjen McGonigal.
Po ashtu, gjatë një takimi në Kuvendin zgjedhor të degës 6 të PD-së Tiranë, në zonën e Kombinatit, Basha ka hedhur edhe akuza ndaj qeverisjes së vendit, duke e etiketuar si të shndërruar në qeverisjen më të dështuar për shqiptarët në çdo aspekt.
Ai tha se kriza e vërtetë e shqiptarëve është ajo ekonomike ndërsa shtoi se qeveria e do vendin pa institucione dhe media të lira.
“Në asnjë aspekt më shumë sesa në shkatërrimin e qindra, mijëra familjeve shqiptare, duke i detyruar të rinjtë shqiptarë të largohen si i vetmi opsion për një jetë më të mirë”, përmblodhi ai.
Më tej, ai shtoi se shqiptarët e dinë fare mirë se cilat janë arsyet kryesore të kësaj krize eksodi, e cila për nga parametrat, për nga shpejtësia e cila po e zbraz Shqipërinë nga të rinjtë, nga të rejat, nga profesionistët, nga të arsimuarit, nga ata që Shqipëria ka më shumë nevojë për t’u ringritur.
Arsyet sipas tij janë të qarta, duke nisur nga korrupsioni që ka arritur pikën më të lartë në këto 34 vite, mosfunksionimi i shtetit të së drejtës, pra mosbarazia para ligjit dhe moszbatimi i garancive ligjore për çdo qytetarë, por vetëm për të fortët të cilët marrin nga ligji atë që i takon çdo qytetari dhe nuk japin përgjegjësi para ligjit dhe e kam fjalën këtu për të gjithë të paprekshmit, për të gjithë të pandëshkuarit politik, ekonomik dhe kriminal.
“Kjo është kriza për të cilën mungon debati politik sepse ato që duhet ta bëjnë e duan kështu Shqipërinë dhe shqiptarët, pa insittucione dhe media të lira”, përmbylli Basha.