75 Mall Live Search
11:14 / E Premte, 08 Mars 2024 / S Z

Gërvalla takon Schwabe, temë mbështetja e Gjermanisë për anëtarësim në KiE

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me kryetarin e grupit të deputetëve gjermanë në Këshillin e Evropës (KiE), Frank Schwabe.

Mbështetja e Gjermanisë dhe bashkërendimi i veprimeve në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ishin temat në fokus të këtij takimi, ka njoftuar zyra për informim e MPJD-së.

“Ministrja Gërvalla takoi edhe dy deputetë të Partisë Liberale Gjermane (FDP) në Bundestagun gjerman, Ulrich Lechte dhe Thomas Hacker, me të cilët u diskutuan proceset politike dhe siguria në Kosovë dhe rajon, bashkërendimi dhe mbështetja e Kosovës në rrugën e anëtarësimit të saj në BE, NATO dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Bëhet e ditur se gjatë këtyre takime të ndara, ministrja Gërvalla i njoftoi deputetët e Bundestagut me të arriturat mbresëlënëse të Kosovës në ekonomi, demokraci, sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.