Kompania e mërgimtarit nga Vushtrria do të bëjë instalimin e rrjetit 5G në stadiumin ku Shqipëria do të luajë kundër Kroacisë në Kampionatin Evropian

Çdo ditë mediat raportojnë për suksesin e shqiptarëve në diasporë, të cilët po arrijnë të marrin projekte të rëndësishme në shtetet ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Së fundi, një sukses të madh me kompaninë e tij ka arritur edhe i riu nga Vushtrria, Gazmend Hamiti.

Kompania e tij do të bëjë instalimin e rrjetit 5G në stadiumin e Hamburgut, ku do të luajë kombëtarja shqiptare në kampionatin Evropian më 19 qershor kundër Kroacisë.

Mërgimtari nga Vushtrria thotë se që nga viti 2010 ndodhet në shtetin gjerman dhe se kompania e tij merret me instalim të ndryshme të rrjetit dhe se nuk ka qenë e vështire të marrë një projekt të tillë nga autoritetet gjermane për shkak të besueshmërisë së madhe që kanë në treg.

Ky projekt, sipas tij, do të zgjasë tri deri katër vite.
Ai ka bërë me dije se të gjithë punëtorët e tij janë shqiptarë, duke shtuar se asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet me vendlindjen.

Hamiti thotë se gjysmën e kohës e kalon në vendlindje dhe pjesën tjetër në Gjermani.
