E siguroi vendin në ‘’Final Four’’, Skënderbeut i kanë mbetur edhe tre vite dënim

Skëndërbeu ishte skuadra e fundit që siguroi vendin në ‘’Final Four’’. Klubi korçar e arriti këtë objektiv vetëm në javën finale të kampionatit, ndërsa tani shorti i vendosi përballë Partizanit në gjysmëfinalen e katër skuadrave më të mira në Abissnet Superiore, një përballje që do të zhvillohet më 17 maj.
Për klubin e Skëndërbeut u prononcua presidenti Ardian Takaj, ku deklaroi se pjesëmarrja në katërshe është një arritje e madhe.
“Ishte një vit i bukur, bëmë një skuadër me djem të rinj dhe të talentuar që kanë të ardhme. Pjesëmarrja në katërshe është arritje e madhe për skuadrën dhe qytetin”.
Presidenti Takaj u shpreh besimplotë se skuadra e tij mund të garojë edhe titullin kampion, duke qenë se në një objektiv të tillë e ndihmon dhe historia e lavdishme e viteve të fundit.
“Të gjithë janë të sukseshëm në mënyrën e vet, nuk na pengon askush të fitojmë kampionatin. Ne jemi mësuar, kampionati është i madh për Skënderbeun dhe qytetin. Ne jemi aty”.
Ndërkohë, numri një i kubit korçar u pyet edhe lidhur me dënimin e marrë nga UEFA. Takaj theksoi se tashmë duhet të presin dhe tre vite që juglindorët të kenë mundëisinë që të marrin pjesë në kompeticionet ndërkombëtare. /ss/