75 Mall Live Search
16:15 / E Martë, 21 Maj 2024 / MSH

Lirohet nga akuza për ryshfet zyrtari i Parkut Kombëtar “Sharri”

Gjykata Themelore e Ferizajt ka liruar nga akuza të pandehurin Valton Çeko, i cili akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar si rojtar i natyrës pranë Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” në Prizen, kishte pranuar 500 euro ryshfet.

Aktgjykimi ndaj të njëjtit u shpall të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, nga kryetari i trupit gjykues, Habib Zeqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Zeqiri tha se nuk është provuar se i akuzuari Çeko ka kryer veprën penale siç e ngarkon aktakuza, ndërsa, tha se shpenzimet e kësaj procedure bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

Paraprakisht, në këtë seancë u dhanë fjalët përfundimtare për çka prokurori Fatos Ajvazi dhe avokati mbrojtës me zëvendësim, Bahtir Troshupa i dorëzuan në formë të shkruar dhe mbetën në tërësi pranë fjalës së dorëzuar me shkrim.

I akuzuari Valton Çeko, tha se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit, dhe se tjetër nuk ka se çfarë të shtojë.

Sipas aktakuzës së 24 tetorit 2022, i pandehuri Valton Çeko mes datave 3 dhe 6 shtator 2021, në Shtërpcë, përkatësisht në vendin e quajtur ‘Ulica’, në cilësinë e personit zyrtar si rojtar i natyrës pranë Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, kishte kërkuar dhe kishte pranuar dhuratë apo përfitim tjetër për vete.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën tij zyrtare, kishte kërkuar nga Sasha Antiç shumën e përgjithshme të të hollave prej 1 mijë e 500 euro në këmbim të bllokut zyrtar- fletëpërcjellëseve, ndërsa më pas kishte pranuar 500 euro, nga të cilat 250 euro ia kishte dhënë Sasha Antiç dhe 250 euro të tjera Mira Redziç.

Me këtë, Çeko akuzohej se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 2 i Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.