75 Mall Live Search
13:26 / E Mërkurë, 05 Qershor 2024 / LB

Broja: Njerëzit gjykojnë tepër, Evropiani momenti im

Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Armando Broja, po përgatitet për të luajtur Evropianin e parë të karrierës së tij.

Në një intervistë për “The Athletic”, sulmuesi shkodran shpreson që të tregojë vlerat e tij dhe ta provojë të kundërtën të gjithë skeptikëve të tij.

“Nëse unë do të jem në fushë me Shqipërinë në Euro 2024, atëherë do të kem mundësinë t’u tregoj njerëzve se kush jam në të vërtetë. Sa herë mendoj për këtë, më vjen një buzëqeshje natyrale.

Gjithë jetën time kam ëndërruar që të isha pjesë e një eventi kaq madhor. Kam shumë për t’u provuar njerëzve, por edhe vetes sime. Në futboll ka shumë kritika, njerëz që dyshojnë në cilësitë e tua. Ata mbajnë mend vetëm ndeshjet e këqija dhe të gjykojnë kur je në pikën më të ulët.

Dua t’i tregoj botës, vendit tim, familjes sime, shokëve, të gjithë atyre që dyshuan, por edhe atyre që më mbështesin, se unë mund të bëhem futbollisti që kam në mendje dhe të arrij të gjithë pritshmëritë që kam për veten”, u shpreh Broja.

Kujtojmë edhe një herë që Kombëtarja Shqiptare, bën pjesë në grupin B bashkë me Spanjën, Kroacinë dhe kampionin në fuqi Italinë ku do të luajë ndeshjen e parë më 15 qershor./IndeksOnline/