Shqetësohet Spalletti, reparti i mesfushës çalon para ndeshjes me Shqipërinë

Italia do të jetë kundërshtari i parë i Shqipërisë në Kampionatin Evropian të futbollit, me ”Të Kaltërit” e teknikut, Luciano Spalletti.
Të njëjtit kanë kryer seancën e parë stërvitore në tokën gjermane, saktësisht në Iserlohn, ku edhe do të qëndrojnë gjatë gjithë kompeticionit.
Seanca ka qenë e hapur dhe është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm italianësh, të cilët në fund kanë bashkëbiseduar edhe me trajnerin Spalletti, me këtë të fundit që nuk ka ngurruar të evidentojë rëndësinë e mbështetjes që vjen nga tribuna.
Mirëpo, teksa kanë mbetur edhe katër ditë nga përballja me Shqipërinë, Spalletti nuk mund të qëndrojë plotësisht i qetë, pasi mesfusha është reparti që ia prish jo pak humorin
Bëhet fjalë për tre yjet, Nicolo Barella, Nicolo Fagioli dhe Davide Frattesi, që kanë shfaqur probleme fizike.