75 Mall Live Search
13:07 / E Premte, 21 Qershor 2024 / S Z

LDK premton koeficient 150, çka thonë partitë tjera opozitare?

110 euro është koeficienti i pagave për vitin 2024 me projektligjin mbi ndarjet buxhetore, për të gjithë punëtorët e sektorit publik në Kosovë.

Ky koeficient, në fillim të vitit kur edhe u aprovua nga Qeveria, shkaktoi pakënaqësi nga punonjësit e disa komunave, sindikatat e sektorit publik si dhe partitë opozitare. Duke thënë se kjo rritje, është më e prekshme për ata që veçse i kanë pagat më të larta.

Por, çfarë koeficienti po premtojnë PDK, LDK e AAK? Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë filluar deklarimet për koeficientin e pagave, të cilët janë pjesë e programit zgjedhor të vitit 2025-2028. Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza nuk ka dhënë shifër të saktë të koeficientit.

Por në Pressing të T7, kishte deklaruar se sektori publik nuk është në gjendje të mirë. Andaj, sipas tij PDK do të krijojë klimë të përshtatshme edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj nga jashtë.

“Sektori publik nuk është në gjendje të mirë, nuk kemi pas ndonjë rritje domethënëse të pagave që nga viti 2014. Inflacioni ka shku, çmimet kanë ndryshuar kanë shku shumë lartë, standardi i jetesës ka ngel ulët. Ne duhet të krijojmë kushte që njerëzit t’i mbajmë në Kosovë në të kundërtën do të përballemi me problemin më të rëndë që është problemi demografik. Ne do të krijojmë klimë të përshtatshme edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj nga jashtë”, kishte deklaruar Bedri Hamza në Pressing të T7.

Ndryshe nga PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, në programin e saj politik “Rruga e Re”, ka kohë që e ka të konkretizuar koeficientin e pagave.

 Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku kishte deklaruar se koeficienti do të rritet që në ditën e parë të qeverisjes së tyre, dhe do ta ketë vlerën 150 euro. Që i bie rritje mesatare 33 deri 34 për qind për pagat në sistemin publik.

 “Me programin politik “Rruga e Re” koeficienti do të ketë vlerën 150 euro. I bie që ka rritje në mesatare diku 33-34% për paga në sistemin publik. Gjithë mjekët, mësuesit, policët, zjarrfikësit, administrata publike që sot është e shtypur, po zotohem që në ditët e para të qeverisjes për rritjen e pagave të tyre”, kishte deklaruar Abdixhiku në Pressing të T7. Abdixhiku ka detajizuar pagat me rritje të koeficientit 150 euro.

 “Mësuesi nga 616 euro do të ketë pagën 840 euro, apo 222 euro rritje. Mjeku i zakonshëm rritje +296 euro, polici i thjeshtë + 200 euro, ushtari +224 euro, zjarrfikësi +200 euro”, kishte thënë Abdixhiku. Përderisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka premtuar pagë minimale 450 euro dhe pagë mesatare në sektorin publik mbi 1000 euro. “Sot grupi për hartimin e Programit Zgjedhor të AAK-së 2025-2028, diskutoi programin për Ekonominë dhe Sigurinë Sociale dhe miratoi këto qëndrime programore, disa prej të cilave janë me sa vijon: Paga minimale 450 euro; paga mesatare në sektorin publik mbi 1000 euro; vlera nën pagën minimale nuk tatimohet”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.