Biden premton mbrojtje ajrore për Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është zotuar se do t’i sigurojë Ukrainës pesë sisteme të reja strategjike të mbrojtjes ajrore.
Në Samitin e NATO-s që po mbahet në Uashington, Biden ka thënë se këto sisteme ajrore do t’i shërbejnë Ukrainës për kundërvënie ndaj sulmeve të pamëshirshme ruse, shkruan BBC, transmeton Indeksonline.
Duke përmendur luftën në Ukrainë, Biden thotë se Aleanca e NATO-s është më e fuqishme se kurrë.
Presidenti amerikan shtoi se SHBA-ja do të bashkëpunojë me Gjermaninë, Italinë, Holandën dhe Rumaninë, për t’i dhuruar Ukrainës bateri raketash Patriot dhe sisteme të tjera që ndihmojnë ushtrinë ukrainase.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që kërkon nga ndërkombëtarët ndihmë për furnizim me mbrojtje ajrore.
Në total, NATO planifikon të dhurojë pesë sisteme strategjike të mbrojtjes ajrore dhe dhjetëra bateri më të vogla strategjike anti-ajrore gjatë vitit të ardhshëm./Indeksonline/