“Mos m’u afro se të vras”, i akuzuari për vrasjen në Dujakë të Gjakovës rrëfen se çfarë ndodhi në natën kritike

I akuzuari Shpejtim Knushi, gjatë dhënies së mbrojtjes të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, duke rrëfyer versionin e tij për natën kritike, tha se deri te e shtëna me armë kishte ardhur nga moskontrollimi i armës, pa e shënjestruar dhe fokusuar tani të ndjerin dhe se viktima kishte qenë afër tij 2-3 metra.
I akuzuari Knushi, në këtë rast po ngarkohet se ka vrarë M.J., pas një mosmarrëveshje për heqjen e kabllos elektrike nga shtëpia, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, duke u kthyer nga dyqani derisa kishte shikuar nga lokali i të tani të ndjerit, ky i fundit i ishte afruar e që i akuzuari më pas e kishte nxjerrë armën nga xhepi duke e paralajmëruar të mos i afrohej dhe më pas ka shtënë.
Natën kritike, i akuzuari Knushi fillimisht tha se ishte në bjeshkë dhe me t’u kthyer në fshat, kishte shkuar në dyqan afër orës 20:45, me vajzën e tij për të marrë gjëra ushqimore.
Më pas, ai tha se e kishte vazhduar bisedën me bashkëfshatarët jashtë dyqanit, gjersa në përfundim të bisedave duke iu afruar veturës së tij, tha se ishte kthyer tek shtylla në kthesë për t’i parë njoftimet për të vdekur që vendosen në shtyllë.
“Shkova ta lexoj, ta shof se kush është, kur jam kthy kështu më kanë shku syt tek lokali i Betit, aty më ka shikuar Beti dhe është ngritur nga tavolina. Unë kam vazhduar me u kthy te kerri me hy në të, Beti ka ardhë me hapa të shpejtë pasi që është një trafo aty nuk e kam parë se ishte duke ardhur në drejtim timin”, tha i akuzuari.
Ai shtoi se derisa e kishte parë t’i afrohej, ishte ndalur t’i jepte hapësirë në rast se ishte nisur në drejtim të dyqanit, por thotë se tani i ndjeri u drejtua nga ai.
I akuzuari thotë se kishte menduar se iu afrua të flisinin për një mosmarrëveshje që kishin pasur një ditë më herët në rrugë me automjete, e ku më pas thotë se e kishte pyetur viktimën se përse ia ka ndalë rrymën në bjeshkë, e që i ka lënë në terr femijët dhe nënën e tij.
“Ai tha “unë ta q* nonën, babën e gjallë e të vdekur, e robt ti q”, dhe ka marrë hygjym-sulm nga unë. Unë e kishte revolen në xhep, me dorë të majtë i kam thënë mos m’u afro Bet, me dorë të djathtë e kam vë dorën tek arma dhe ai më ka thënë “nxjerre e ropt ti q**sha”, unë e kam nxjerrë revolen dhe gjatë nxjerrjes e kam mbushë, e kam nis me u tërheq prapa duke i thënë mos m’u afro”, tha i akuzuari.
I akuzuari Knushi thekson se e kishte paralajmëruar tani të ndjerin të mos i afrohej se do e vriste.
“Për herë të parë pas 10 viteve e kam thirrë në emër, i kam thënë Bet mos m’u afro se të vras. Kam shtënë një herë në tokë nja 1 metër në krahun e djathtë të tij”, tha i akuzuari Knushi.
Knushi tha se në ato momente ishte ndalur duke e shfrytëzuar rastin të shkojë 3-4 hapa pas, e ku në atë moment tha se kanë vrapuar disa djem të fshatit që kanë qenë ulur para lokalit të viktimës, të cilët kishin shkuar në të djathtë të viktimës.
Sipas tij, aty kishte shkuar edhe pronari i dyqanit Kreshnik Alija, i cili ia kishte kapur dorën e djathtë duke e tërhequr. Por, sipas të akuzuarit, viktima kishte vazhduar të shante, duke e sulmuar e tentuar të shkonte në drejtim të të akuzuarit.
“Tani unë e kalova gjysmën e pjesës së asfaltit duke më tërhequr Kreshniku edhe vetë ai u hypë në gjysmë asfalti me atë afruar 2-3 metra, atëherë unë kam qenë shumë i tronditur, pa kontroll e kam marrë armën nga dora e djathtë me dorën e majtë, Kreshniki edhe më shumë më ka tërhequr dhe është bërë shkrepja pa kontroll, as nuk e kam shënjestru, as s’e kam fokusuar, por se ka qenë afër fort 2-3 metra është goditë”, tha i akuzuari Knushi në mbrojtjen e tij.
Pas shkrepjes, i akuzuari tha se personi i quajtur Kreshnik e ka kapuar për dorë dhe nuk e lëshonte, ndërsa ai tha se e kishte shtyrë të njëjtin duke i thënë që ta lëshojë të shkonte në shtëpi. Më pas sqaroi se përse e mbante armën me vete në ditën kritike.
“Atë natë kur jam kthyer prej bjeshke e kam pas armën me vete me Jeep-in që shkoj për bjeshkë, e kam pasur armën tek ndërruesi i shpejtësive, unë sa jom përgaditë me dalë te marketi, vajza E., ish kanë ka e fshinë Jeep-in dhe kur dola me shku te marketi e pava që E., po ma fshinë kerrin dhe u frikova që po ma prekë armën dhe e mora e futa në brez, prej pritese dhe prej neglizhencës”, tha Knushi.
Më pas, i akuzuari Knushi tha se me të ndjerin ishin shokë të ngushtë, mirëpo pas një rrahje mes tyre para 10 viteve ata më nuk kishin raporte të afërta mes tyre.
Më pas, seanca u ndërpre për të vazhduar në një ditë tjetër.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, i pandehuri Shpejtim Knushi, ngarkohet se më 4 korrik 2022, rreth orës 21:20, në fshatin Dujakë, Komuna e Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.J.
Sipas aktakuzës, shkaku i vrasjes ishte një mosmarrëveshje në lidhje me heqjen e një kablloje elektrike nga viktima në shtëpizën e të pandehurit në bjeshkë. Pas fjalosjes mes vete, në një moment i pandehuri kishte nxjerrë nga brezi pistoletën dhe në një distancë prej 2-3 metrash, shtie fillimisht në tokë afër këmbëve të viktimës e më pas e qëllon në pjesë vitale të trupit.
Për këto ai ngarkohet për veprën penale të “Vrasjes”, nga neni 172 i KPRK-së, si dhe për veprën e dytë “Mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të KPRK-së.