75 Mall Live Search
18:56 / E Shtunë, 03 Gusht 2024 / Gj. Sh

Kurti të hënën në Shkup, takohet me homologun Mickoski e me kabinetin qeveritar

Kryeministri Albin Kurti, të hënën me fillim nga ora 10:00, do të nisë një vizitë zyrtare në shtetin fqinj, Maqedoninë Veriore.

Kreu i ekzekutivit kosovar do të ketë takime me krerët e shtetit maqedonas, nga homologu i tij Hristijan Mickoski, pastaj me ministrat e kabinetit qeveritar.

Ndërkaq kanë paralajmëruar një takim edhe me kryeparlamentarin e RMV-së, Afrim Gashi.

Kjo vizitë e Kurtit në Shkup vjen pak ditë pas një incidenti që u shënua në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me presidenten Vjosa Osmani, e cila po e shfrytëzonte të njëjtin për një udhëtim privat.

Incidenti erdhi pasi sigurimi i aeroportit, sipas Zyrës së Presidentes, i kërkoi asaj ta dorëzonte telefonin e saj personal.

Ky incident është konsideruar nga shumë si skandal diplomatik.

MPJ-ja e Kosovës madje i ka dërguar notë proteste Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime dhe informata mbi këtë rast.

Ndërkaq, MPJ-ja maqedonase ka shprehur keqardhje për rastin, teksa ka thënë se janë duke e trajtuar rastin.