Agim Ademi: E njoftova per ndryshimet ligjore në Kosovë, Ceferin më tha ta mbaj të informuar

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është i pranishëm në Varshavë, aty ku do të mbahet finalja e Superkupës së Europës.
Në kryeqytetin e Polonisë, Agim Ademi u takua edhe me presidentin e UEFA-s, Aleksandar Ceferin.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Ademi ka dhënë detaje nga ky takim.
Ai ka thënë se e ka njoftuar të parin e UEFA-s, për ndryshimet ligjore në Kosovë sa i përket sportit dhe raportin e institucioneve të vendit me Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Përveç temave të zakonshme që prekin futbollin, ne disktuam edhe për rregullativën e re ligjore të sportit në Kosovë dhe ndërveprimin e institucioneve të Kosovës me Federatën e Futbollit të Kosovës. Presidenti Çeferin shprehu përkushtimin e UEFA-s për të mbështetur zhvillimet në futbollin e Kosovës dhe për të siguruar që ato të jenë në përputhje me standardet dhe rregullativat e UEFA-s. Ai më kërkoi që UEFA të jetë e informuar për çdo zhvillim të ri që lidhet me futbollin në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Agim Ademit.