75 Mall Live Search
15:10 / E Shtunë, 07 Shtator 2024 / FR

Haradinaj liderëve të shtetit: Sa herë e përmendni ju Rugoven, atij i rrotullohen eshtrat në varr

Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar ashpër Albin Kurtin, Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën për atë që ai e quan përpjekje për të manipuluar trashëgiminë politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë.

“Secili, në formën e vet të mashtrimit, pretendon se çmon vlerat e Presidentit Rugova,” shkroi Haradinaj në një postim në Facebook. Ai akuzoi Kurtin dhe Gërvallën për mosrespekt historik ndaj Rugovës, ndërsa për Osmanin tha se “asgjë rugoviste nuk ka” përveç retorikës.

Ish-kryeministri i Kosovës vlerësoi se qasja e të treve ndaj politikëbërjes së Rugovës është aq e ulët sa që “sa herë e përmendin Rugovën, atij i rrotullohen eshtrat në varr”. Haradinaj theksoi besnikërinë e banorëve të Llapit ndaj Rugovës dhe sugjeroi se regjioni meriton një përmendore për ish-presidentin.

Duke imituar stilin e Rugovës, Haradinaj tha: “Falënderoj Presidentin Biden, Kryeministrin Staimer, Kryeministrin Scholz, Presidentin Macron, Papën dhe miqtë e Kosovës. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e Kosovës,” duke shtuar se Kurti dhe Gërvalla kurrë nuk do ta thonin këtë, ndërsa Osmani, edhe kur e thotë, “çdo ditë e më pak njerëz e besojnë”.