75 Mall Live Search
09:23 / E Enjte, 03 Tetor 2024 / k.v

Garda s’lejon deputetët e përjashtuar të opozitës të hyjnë në kuvend

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet ditën e sotme pa 24 deputetë të opozitës, të cilët janë përjashtuar për kaosin dhe veprimet e dhunshme të kryera gjatë seancës plenare të ditës së hënë.

Megjithatë, ata kanë thënë se nuk do të njohin asnjë vendim nga ana e Sekretariatit të Etikës teksa kanë shtuar se do të vazhdojnë me aksionin opozitar.

Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se në seancën e sotme parlamentare, Partia Demokratike do të bëjë çdo gjë për të penguar zhvillimin normal të punimeve, raporton Tv Klan.

“Sa i takon seancës së nesërme, Grupi parlamentar ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme. Strategjitë se çfarë do bëjmë do t’i mësoni aty, mos prisni detaje, pjesa dërrmuese e reagimeve tona janë spontante të diktuuara nga sjelljet e mazhorancës”, deklaroi Bardhi.

Gjithashtu edhe Flamur Noka u shpreh ditën e djeshme se nuk do të njohin asnjë vendim të sekretariatit të etikës.