Kritikat e Sarrazin rreth anëtarësimit në KiE, Qeveria i përgjigjet: Kalimi i fazës së parë, meritë e jona

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur kritikave të Emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, lidhur me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, i cili tha se Kosova ka pritur që Gjermania t’i bindë shtetet që të votojnë pro anëtarësimit në KiE, duke theksuar se këtë do të duhej ta bënte vetë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se ekzekutivi ka prioritete të qarta në politikën e jashtme ndaj të cilave angazhohet çdo ditë. Meritat për kalimin e fazës së pare për anëtarësim në KiE, Kryeziu ka thënë se janë të tyre.
“Si rezultat i angazhimit të diplomacisë sonë, me 24 prill 2023 u kalua faza e parë suksesshëm me mbi 2/3 e nevojshme dhe me 16 prill 2024 kishim një votë të fuqishme në favor të anëtarësimit të plotë, ku 82% e delegatëve të Asamblesë Parlamentare, duke përfshirë edhe ata nga vendet mosnjohese, votuan në favor të Kosovës. Kjo dëshmon në radhë të parë meritat e Kosovës por edhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që ajo të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme”, ka deklaruar Kryeziu për RTV Dukagjinin.