75 Mall Live Search
12:19 / E Enjte, 17 Tetor 2024 / MSH

Opozita: S’ka kuptim votimi i planit të punës, pozita të kthehet në kuvend

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për legjislacion, të thirrur për të shqyrtuar raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve të veçanta për krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria dhe ministrat, si edhe planin e punës së këtij komisioni për sesionin vjeshtor, deputetët e pozitës dhe opozitës u përplasën mbi zhvillimet e fundit në vend.

Deputetët e opozitës, me gjithë vlerësimin që thanë se i bëjnë draftplanit të punës, thanë se nuk ka asnjë kuptim votimi i këtij plani, duke qenë se pozita nuk merr pjesë në seancat e opozitës.

“Në Parlament të Kosovës askush më nuk e ka shumicën,as në seanca as në komisione, nuk pe shoh që ka vullnet politik, kam rezerva që mund të kalohet ndonjë ligj më në parlament, sepse po iket nga përgjegjësia,ndërhyrja e njerëzve mbi ligjin, përgjimet, ikja prej përgjegjësisë për ushqimin e ushtrisë,po më duket e paarsyeshme”, tha Hajdar Beqa.

Ndërsa, Driton Selmanaj nga LDK-ja tha se kuvendi me muaj të tërë e ka humbur funksionalitetin.

 “Janë 6 muaj që kuvendi s’po arrin me ju kthye normalitetit ,është plan ambicioz por i parealizueshëm, as Dejona nuk mund ta kryejë këtë plan”, tha Selmanaj.

Kryetari i komisionit, Adnan Rrustemi, duke prezantuar draftplanin e punës, tha se ky plan synon të përmbushë agjendën e paraparë për këtë sesion, të fundit para zgjedhjeve.

 “Asnjëherë plani i punës nuk është përmbushur në plotësi, por megjithatë është përmbushur deri në një masë”, tha Rrustemi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, iu përgjigj dy deputetëve të vetëm  të opozitës, pjesëmarrës në mbledhjen e sotme.

“Është në vullnetin tonë se sa është i realizueshëm ky plan, për sa i përket pozitës, na po marrim pjesë, por ju s’po votoni, është e kotë na me ardhë me u marrë me shpifje në kuvend, me shpifje të Listës Serbe, unë s’muj me ardhë me debatua a ka mbet pa bukë ushtria, por vij nëse flitet a ka mbet pa tenderë Ragip Zhaba”, tha Basha.

Në fund me 5 vota për, ta gjitha nga radhët e pushtetit u votua plani i punës, Driton Selmanaj i LDK-së votoi kundër ndërsa Hajdar Beqa, abstenoi.

Komisioni i kaloi edhe disa pika të tjera të rendit të ditës, mbi disa projektligje dhe amendamente.