75 Mall Live Search
13:34 / E Enjte, 31 Tetor 2024 / mp

Raporti i progresit: ATK-ja me performancë të mirë në luftimin e evazionit fiskal

Raporti i progresit 2024, i publikuar dje, në kapitullin 16 vlerëson lartë Administratën Tatimore të Kosovës. Në raport thuhet se ATK-ja ka bërë përparime të rëndësishme në përmbushjen e objektivave të saj për mbledhjen e të hyrave, luftimin e evazionit fiskal dhe përmirësimin e menaxhimit të riskut dhe digjitalizimin e proceseve tatimore.

Përkushtimi i ATK-së për të përmirësuar shërbimet dhe për të reformuar proceset tatimore ka ndikuar dukshëm në avancimin e saj drejt një sistemi më efikas dhe të qëndrueshëm.

Në raport thuhet se Kosova ka vazhduar të paraqes performancë të mirë në mbledhjen, përforcimin dhe përmbushjen e tatimeve “nga muaji prill 2023 deri në shtator 2024, Administrata Tatimore e Kosovës ka arkëtuar të ardhura prej 1,28 milionë euro ose 14.1% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë”.

Luftimi i evazionit fiskal është një tjetër fokus i rëndësishëm i Administratës Tatimore, i cili po ashtu është vlerësuar nga Raporti i progresit.

Gjithsesi ky vlerësim vjen duke pas parasysh se  ATK-ja ka investuar në teknologji moderne që ndihmon në identifikimin e rasteve të evazionit dhe shmangies tatimore, duke ndërmarrë veprime ligjore për të siguruar që të gjitha bizneset të kontribuojnë ndershmërisht.

ATK-pja ka kryer 2,939 vizita përmbushëse, kontrolla dhe hetime të rasteve të dyshuara të evazionit fiskal. “Këto aktivitete kanë rezultuar me të hyra shtesë prej 112,7 milionë eurosh.

Sa i përket fushës së menaxhimit të borxheve, ATK-ja po ndjek praktikat më të mira ndërkombëtare” RP.

Tutje në radhët e vlerësimeve për ATK-në, thuhet se gjatë periudhës prill 2023 deri në gusht 2024 Administrata Tatimore ka kryer 1,173 aktivitete që synojnë punën e padeklaruar.

Gjatë kësaj kohe janë inspektuar 51 biznese në bashkëpunim me inspektoratin e punës në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar punën e padeklaruar.

Pjesa e digjitalizimit është e pashmangshme në vlerësim edhe këtë herë, duke qenë në vazhdimësi të fokusuar në krijimin e platformave inovative të cilat lehtësojnë procedurat tatimore.

Raporti në fjalë tregon se “sa i përket kapaciteteve operacionale dhe digjitalizimit, ATK-ja ka vazhduar të bëjë progres në digjitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve, veçanërisht në rritjen e luftës kundër punësimit joformal dhe mosdeklarimit të tatimeve.

Ndër pjesët me të ndjeshme të cilat kanë impakt të drejtpërdrejt në menaxhimin e riskut është edhe trajtimi i rasteve për kontroll. Andaj, Raporti i progresit vlerëson se “ATK-ja ka rritur kapacitetin e saj analitik duke përditësuar të gjithë parametrat e moduleve të analizës së rrezikut, e cila ka rezultuar në një rritje të ndjeshme të kontrolleve të bazuara në rrezik (mbi 80% e të gjitha kontrolleve tatimore).