75 Mall Live Search
13:50 / E Mërkurë, 27 Nëntor 2024 / MSH

Gashi i PDK-së kërkon të dijë nëse MPJD-ja ka nisur t’i hapë kutitë postare në shtete të ndryshme për votimin jashtë Kosovës

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka ngritur për diskutim në mbledhjen e këtij institucioni nëse Ministria e Punëve të Jashtme ka nisur të zbatojë vendimin e KQZ-së për hapjen e kutive postare në shtete të ndryshme të botës.

Gashi ka kujtuar se KQZ-ja para dy javësh ka marrë vendim për miratimin e propozimit për hapjen e kutive postare në 22 shtete të ndryshme të botës për procesin e votimit jashtë Kosovës dhe që është obligim i Ministrisë së Jashtme t’i hapë kutitë postare.

Sipas planit të KQZ-së hapja e këtyre kutive postare duhet të bëhet deri më 25 dhjetor, por Gashi ka pyetur sekretariatin e KQZ-së nëse ka ndonjë njoftim nga Ministria e Jashtme se deri ku ka shkuar ky proces.

Për këtë çështje zyrtarët e KQZ-së thanë se anëtarët e KQZ-së do të njoftohen.