75 Mall Live Search
18:49 / E Mërkurë, 27 Nëntor 2024 / Z S

Prindërit sërish në protestë: Drejtësi për Martin Canin, siguri për fëmijët në shkolla

Prej 10 ditësh qirinjtë  në hyrje të shkollës “Fan Noli” nuk janë shuar. Shokët, nxënës, prindër e mësues mbajnë ndezur dritën  në kujtim të  14-vjeçarit Martin Cani, i cili u vra me thikë nga shoku i klasës paralele.

Edhe komuniteti i prindërve e ka nisur protestën nga shkolla “Fan Noli”.

Në këtë javë të dytë pas ngjarjes së rëndë dhe dyshimeve të ngritura për moszbardhjen e plotë të krimit, prindërit e kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit me thirrjet për drejtësi.

Ata kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e të gjithë autorëve të përfshirë në konflikt.

Me të hyrë në rrugën e Durrësit, prindërit protestues ju bënë thirrje qytetarëve që ndodheshin në baret dhe lokalet përreth, t`i bashkoheshin marshimit, për kauzën e përbashkët, raporton A2CNN.

Me të mbërritur para Ministrisë së Arsimit prindërit dhe shoqëria civile kërkuan dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu, përgjegjëse sipas tyre për mungesën e sigurisë në shkolla./Indeksonline/