75 Mall Live Search
23:30 / E Mërkurë, 04 Dhjetor 2024 / Z S

Cili mund të jetë plani i administratës së presidentit Trump për Ukrainën?

Këshilltarët e presidentit të zgjedhur Donald Trump publikisht dhe privatisht po bëjnë të ditur propozime të ndryshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Sipas një analize nga agjencia e lajmeve Reuters të deklaratave në fjalë, si dhe intervistave me disa individë të afërt me zotin Trump, pjesë të mëdha të territorit të Ukrainës do t’i jepeshin Rusisë për një kohë të pacaktuar.

Presidenti i zgjedhur Trump është zotuar vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore se do t’i jepte fund konfliktit afro trevjeçar, në 24 orët e para pas marrjes së detyrës më 20 janar, për të mos thënë më herët, por ende nuk ka thënë se si do ta bëjë këtë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke u përballur me mungesë forcash dhe humbje territori në rritje, ka lënë të kuptohet se mund të jetë i hapur për negociata.

Edhe pse ende synon anëtarësimin në NATO, ai tha këtë javë se Ukraina mund të gjejë një zgjidhje diplomatike për të rimarrë disa nga territoret e saj të pushtuara.

Por Presidenti Putin mund të mos jetë i gatshëm për t’u angazhuar me udhëheqësin e ardhshëm amerikan, thonë analistë dhe ish zyrtarë të lartë amerikanë, pasi ukrainasit janë në disavantazh të madh dhe Putini mund të marrë më shumë territore.

Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi në maj se Presidenti Putini ishte gati të ndalonte luftën me një armëpushim të negociuar që njihte linjat aktuale të frontit, por ishte gati ta vazhdonte luftën nëse Kievi dhe Perëndimi nuk përgjigjeshin.

Rusia tashmë kontrollon të gjithë Krimenë, pasi e ka marrë atë në mënyrë të njëanshme nga Ukraina në vitin 2014 dhe që atëherë ka marrë rreth 80 për qind të rajinit të të Donbasit, cili përbëhet nga Donetsku dhe Luhansku, si dhe më shumë se 70 për qind të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit, si dhe pjesë të vogla në rajonet Mykolaiv dhe Kharkiv.