75 Mall Live Search
14:15 / E Premte, 06 Dhjetor 2024 / L K

Çfarë u kërkoi Kurti dy zyrtarëve boshnjakë, Beçiroviqit dhe Komshiqit

Takimet zyrtare në Sarajevë, kryeqendrën e Bosnjë e Hercegovinës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, i filloi me Denis Beçiroviqin, anëtar boshnjak të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, njëherësh kryetar i Presidencës dhe Zhelko Komshiqin, anëtar kroat i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.

Në dy takime të njëpasnjëshme në ndërtesën e presidencës, u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mënyrat për të rritur bashkëpunimin tregtar, me ç’rast u shqyrtua mundësia e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik, dhe për të shtuar shkëmbimet në kulturë dhe edukim.

Kryeministri theksoi se njoftimi i Qeverisës së Republikës së Kosovës sipas së cilit nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pra më pak se një muaj, qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës do të mund të udhëtojnë drejt Kosovës me letërnjoftime, do të kontribuojë shumë në rritjen e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, theksoi rëndësinë që edhe Bosnjë e Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen e mobilitetit për lëvizje të lirë e dalë nga Procesi i Berlinit, në mënyrë që përfitimet nga lëvizja e lirë të jenë të dyanshme.

Gjatë takimeve, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vendet respektive dhe në rajon, dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit me qëllim integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në përballje me ndikimet e jashtme keqdashëse.

Kryeministri Kurti falënderoi z.Beçiroviq dhe z.Komshiq për mikpritjen në Sarajevë dhe bisedën e hapur dhe produktive. Ndaj kryeministrit, u shpreh mirënjohje për reagimin e shpejtë dhe ndihmën financiare që Republika e Kosovës kishte dhënë në përballje me përmbytjet tragjike në Bosnjë e Hercegovinë gjatë muajit tetor, dhe për shpalljen e 11 Korrikut si Ditë Përkujtimore të Gjenocidit të Bosnjë e Herecegovinës.

Pas takimeve në presidencë, kryeministri do të vijojë vizitën me takime në Këshillin e Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.