Kurti tregon se kujt i përkasin emblemat që u sekuestruan pas sulmit në “Ibër-Lepenci”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur emblemat dhe simbolet të cilat u konfiskuan nga policia një javë më parë, pas sulmit në “Ibër-Lepenci”.
Në fotografinë e publikuar nga kryeministri vihet re se emblemat u përkasin grupeve të ndryshme ushtarake ruse e serbe, shkruan IndeksOnline.
“Ky zbulim shqetësues dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon”, shkroi kryeministri.

Ky është postimi i plotë i tij:
Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me sulmin kinetik terrorist të datës 29 nëntor 2024 ndaj kanalit të Ibër Lepencit, janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe janë gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë.
Ky zbulim shqetësues dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.
Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon.