Avokati Asdren Mekaj shpallet i pafajshëm

Avokati Asdren Mekaj është shpallur i pafajshëm. Lajmin e ka bërë të ditur avokati Besnik Berisha.
Mekaj akuzohej se i kishte sjell dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë eurosh, pasi sipas prokurorisë ai ka përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i jepte të holla të gatshme dhe t’i blente vetura të shtrenjta sipas kushteve të tij.
“Sot, Gjykata Themelore në Prizren shpalli të lirë nga çdo akuzë klientin tim, avokatin Asdren Mekaj. Pas një procesi të gjatë dhe të mundimshëm, i cili u ndërtua mbi shpifje dhe trillime të pabaza, e vërteta më në fund doli në shesh dhe drejtësia triumfoi.
Ky vendim konfirmon atë që ne kemi thënë gjatë gjithë kohës: akuzat ndaj Asdrenit ishin krejtësisht të pavërteta dhe të mbështetura në trillime më qëllim përfitimi material.
Megjithatë, Asdreni e përballoi këtë sfidë me qetësi dhe dinjitet, duke besuar në fuqinë e së drejtës dhe në ndershmërinë e sistemit të drejtësisë, pjesë e të cilit është edhe nëna e tij.
Drejtësia vonoi, por nuk harroi”, shkruan avokati Besnik Berisha në njoftim./Indeksonline/