Lushaku-Sadriu e LDK-së: Asnjëherë në historinë e re të Kosovës s’ka qene më e qartë për kë të votohet

Kandidatja për deputete në radhët e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar në lidhje me ngjarjet e djeshme në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku u shprehë se qartazi tregojnë se si interesi i pushtetit është të heshtin të gjithë.
Lushaku-Sadriu, përmes një postimi në facebook ka thënë se shkelja flagrante e procedurave ligjore është një sulm i drejtpërdrejtë politik që e shtyn Kosovën drejt autokracisë.
Ndërsa theksoi se asnjëherë në historinë e re të Kosovës s’ka qene më e qartë për kë të votohet, tutje ka ftuar të gjithë që të ruajnë e forcojnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë.
“Liri. Pavarësi. Demokraci. Sot, nesër dhe çdo ditë.
Ngjarjet e djeshme në Komisionin e Pavarur të Mediave qartazi tregojnë se si interesi i pushtetit është të heshtin të gjithë. Që dështimet e tyre në arsim, shëndetësi dhe ekonomi të mos përmenden nga askush. Ne gjithmonë e kemi pasur të qartë synimet e tyre që të kapen e të heshtën institucionet. Por ky vend as nuk e toleron, as nuk e lejon diktaturën.
Shkelja flagrante e procedurave ligjore është një sulm i drejtpërdrejtë politik që e shtyn Kosovën drejt autokracisë. Këto veprime krijojnë një precedent të rrezikshëm për lirinë e mediave në vend—dhe kjo duhet të marrë fund më 9 shkurt.
Asnjëherë në historinë e re të Kosovës s’ka qene më e qartë për kë të votohet. Ju ftoj të gjithëve që të ruajmë e forcojmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë në Kosovë. T’i dërgojmë mesazh atyre që synojnë diktaturë dhe izolim”, ka shkruar Lushaku-Sadriu./Indeksonline/