Kosova U19 mbetet pa trajner, largohet Adil Maliqi

Adil Maliqi ka vendosur të largohet nga Përfaqësuesja e Kosovës U19.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ai në një postim në “Facebook”.
“Shpesh, rrethanat na vendosin përballë vendimeve që zemra nuk dëshiron t’i pranojë, por arsyeja i kërkon.”
Me keqardhje të thellë, kam vendosur të dorëhiqem nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19 të Kosovës. Ky vendim nuk ishte i lehtë, por i detyrueshëm pasi që nuk arrijtëm të gjenim një zgjidhjë të përbashkët me Federatën.
Dua të falënderoj nga zemra Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kryetarin për besimin dhe mundësinë që më dhanë të udhëheq këtë grup të mrekullueshëm. Lojtarët ishin frymëzim i përditshëm për mua dhe prindërit e tyre, që ishin gjithmonë mbështetës, janë një shtyllë e rëndësishme e suksesit të tyre. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë të zjarrtë, “dardanët,” të cilët na qëndruan pranë në çdo sekondë dhe nuk reshtën së na dhëni forcë.
Krenohem me sukseset që kemi arritur së bashku, suksese që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u realizuar, veçanërisht kur përballesh me sfida të shumta. Por, pavarësisht çdo pengese, arritëm të tregojmë se puna, përkushtimi dhe bashkëpunimi janë çelësi i suksesit”, ka thënë Maliqi në “Facebook”.
Maliqi, gjatë periudhës së tij si trajner kishte arritur suksesin më të madh duke mposhtur Spanjën në “Fadil Vokrri”./IndeksOnline/