Gjyqi për Gerdecin, Mediu: Pretendojnë se rrita kalibrat e municioneve, s’kam studiuar për ushtri

Ish-ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu i cili akuzohet për shpërdorim detyre për tragjedinë e Gërdecit është paraqitur sërish në Gjykatën e Posaçme.
Në një deklaratë për mediet, pas seancës Mediu e cilësoi procesin gjyqësor ndaj tij si agjitacion propagandë. Mediu tha se nuk mund të ketë një “republikë prokurorësh, pasi vendosja e prokurorisë mbi gjyqësorin do të ketë pasoja për shoqërinë shqiptare, transmeton klankosova.tv.
“Ky është kthyer në proces agjitacion propagande njësoj si në kohën e komunizmit. Mjerë republika e prokurorëve. Shumë e kanë marrë me qejf këtë republikën e prokurorëve. Nuk mund të ketë republikë prokurorësh. Duhet të ketë një shtet të së drejtës ku prokuroria ka vendin e vet. Nuk është drejtësia prokuroria. Vendosja e prokurorisë mbi gjyqësorin, një nga veprimet më fatale të drejtësisë shqiptare dhe do ketë pasoja jo të vogla, politike e sociale në shoqërinë shqiptare”, tha ai.
Duke folur në lidhje me gjyqin ndaj tij, Mediu tha se akuzohet për rritjen e kalibrave të municioneve, ndërsa pretendon se sipas ekspertëve, nuk ka asnjë akt ligjor ku përcaktohet madhësia e kalibrave.
Mediu sqaroi se urdhrat e firmosur nga ai gjatë kohës kur ishte ministër i Mbrojtjes, vinin nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa shton se një prej këtyre urdhrave ka qenë dhe demontimi i municioneve të tepërta që përbënin rrezik për shoqërinë shqiptare.
“Unë mendoj që gjyqet popullore të partisë së punës për agjitacion dhe propagandë do e kishin zili seancën e sotme. Kjo është absurde deri qesharake. Këta pretendojnë që ministri ka rritur kalibrat e municioneve në një kohë që ekspertët e thonë qartë që nuk ka asnjë akt ligjor ku përcaktohet se kush janë kalibra të mëdhenj apo kush janë kalibrat e vegjël”, tha Mediu.
“Dhe kur prokurori u pyet nga unë se kush është kalibër i madh dhe i vogël sipas përcaktimit tij, tha: unë nuk e di sepse jam jurist. Dhe unë jam ministër civil sipas ligjit dhe Kushtetutës. Dhe urdhrat që kam firmosur kanë ardhur nga shefi i shtabit të përgjithshëm, nga strukturat më të specializuara, që merren me çështje armatim municioni” shtoi Mediu.
Mediu siç shkruan oranews, bëri të ditur gjithashtu se u ka paraqitur ekspertëve akte dhe dokumente të nënshkruara në vitin 2005 kur ende nuk ishte emëruar në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, për demontimin e municioneve të vogla me kalibër 100-120 milimetra.
“Kur unë i paraqita ekspertëve dhe prokurorëve dokumente dhe akte të nënshkruara nga Ministri i Mbrojtjes, shefi i shtabit të përgjithshëm të 2005-ës, kur unë nuk isha ende ministër i Mbrojtjes, kur marrëveshja me SHBA, Britaninë dhe Irlandën për demontimin e municioneve të vogla ka përcaktuar në këto urdhra municione 100-120 milimetra, kjo hedh poshtë absurditetin e qëndrimit të tyre, sepse besoj FA kanë ditur së çfarë kanë bërë”, deklaroi Mediu.
Mediu akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim me subjektet ushtarake-kuadër komandues. Nga shpërthimi i Gërdecit humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.