Refuzimi i kërkesës së Thaçit për ta vizituar babain, avokati Bajraktari: Krahas procesit jo transparent, kjo Gjykatë po jep dëshmi për vendime jo humane

Hashim Thaçit iu është refuzuar kërkesa e dytë për vizitë humanitare në Kosovë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masslot në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Thaçi kishte kërkuar përmes mbrojtjes së tij lirimin e tij të përkohshëm në Kosovë për një ditë në mënyrë që të iu mundësohet ta vizitojë babain e tij.
Në lidhje me këtë ka reaguar avokati Ardian Bajraktari. Bajraktari ka thënë se krahas procesit jo transparent e të stërzgjatur, tashmë kjo Gjykatë po jep dëshmi për vendime jo humane.
“Gjykatë jo transparente, proces gjyqësor i stërzgjatur, tash edhe me vendime jo humane. Krahas procesit jo transparent, e të stërzgjatur, tashmë, kjo Gjykatë po jep dëshmi për vendime jo humane. Vendimi lidhur me refuzimin kërkesës së Thaçit për të vizituar babën e sëmurë, është johuman dhe është në kundërshtim me Rregullen 56, paragrafi 3 të Rregullores së procedurës dhe provave e Dhomave të Specializuara. Madje, Gjykata po e shkel edhe standardin e vet të cilin e ka zbatuar në disa raste”, ka thënë Bajraktari..