75 Mall Live Search
10:35 / E Hënë, 17 Mars 2025 / mp

Rast i ri tragjik në Maqedoni: Vdes shoferi i ambulancës, pasi kaloi tërë natën duke transportuar të lënduarit nga zjarri në Koçan

Një shofer autoambulance nga Koçani ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, i cili gjatë gjithë natës ka transportuar të lënduarit nga zjarri i tmerrshëm në një diskotekë të kësaj qyteze në lindje të vendit.

Bëhet fjalë për shoferin shumëvjeçar të ambulancës në Emergjencën e Koçanit.

Siç transmeton portali “Metropola”, Ile Gocevski ka ndërruar jetë në orët e vona të mëngjesit të sotëm pasi kishte shkuar në shtëpi për të pushuar pas një dite të vështirë dhe të gjatë, duke transportuar persona të lënduar.

Të kujtojmë, zjarri i tmerrshëm që shpërtheu të dielën, pak para orës tre të mëngjesit, përfshiu 1.500 njerëz në diskotekën “Puls” në Koçan. Në zjarr u plagosën 155 persona, ndërsa të paktën 59 persona humbën jetën.

Dëshmitarët okularë tregojnë se në ndërtesën e diskotekës kishte vetëm një dalje dhe ajo ishte mjaft e vogël, ndërkohë që zjarri u përhap me shpejtësi.