75 Mall Live Search
21:22 / E Martë, 18 Mars 2025 / Gj. Sh

Kosova vazhdon stërvitjet, Rrudhani thotë se do ta japin maksimumin

Çdo lojtar do ta japë maksimumin kunder Islandës, ka thënë futbollisti i Kosovës, Donat Rrudhani.

Kombëtarja e Kosovës është në përgatitjet e fundit për ndeshjen e rëndësishme ndaj Islandës në “play-off” të Nations League. Ndeshja zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Rrudhani ka theksuar rëndësinë e këtij dueli dhe përkushtimin e lojtarëve për ndeshjen e cila mund të ketë rol të madh për garimin e Kosovës në Ligën B. “Stërvitja ishte mjaft e mirë, punuam në aspektin taktik. E kemi analizuar Islandën dhe dimë pikët e tyre të forta dhe të dobëta. Synimi ynë është të fitojmë dhe të kalojmë në Ligën B. Besoj se çdo lojtar do ta japë maksimumin dhe se do të arrijmë objektivin tonë”, ka thënë ai. 

Përzgjedhësi Franco Foda ka përqendruar përgatitjet në vendosjen taktike të ekipit, duke punuar në organizimin e lojës në fazën defanzive dhe ofanzive. Lojtarët janë angazhuar në ushtrime specifike për qarkullimin e topit dhe krijimin e hapësirave në sulm.

Kapiteni Amir Rrahmani po vazhdon rikuperimin nga një lëndim i pësuar para grumbullimit me Napolin. Ai ka zhvilluar një pjesë të stërvitjes me grupin, ndërsa më pas është stërvitr i diferencuar. Po ashtu, mesfushori Valon Berisha ka ndier shqetësime të vogla dhe ka stërvitur veçmas.